Humbja e një ose disa dhëmbëve mund të ndikojë jo vetëm mënyrën si dukemi, por edhe  shëndetin tonë të përgjithshëm, vetëbesimin dhe funksionin oral. Një nga zgjidhjet më moderne dhe efektive për zëvendësimin e dhëmbëve të humbur janë implantet dentare.

Çfarë janë implantet dentare?

Implanti dentar është një vidë e vogël prej titani që vendoset në nofull në vendin e dhëmbit. Ai shërben si rrënja e një dhëmbi të ri artificial dhe, pas një periudhe integrimi me kockën (procesi quhet osteointegrim), mbi të vendoset një kurorë, urë ose protezë.

Pse të zgjidhni implantet dentare?

Implantet dentare janë të dizajnuara për të imituar pamjen dhe funksionin e dhëmbëve natyralë. Ato janë aq natyrale në pamje dhe ndjesi saqë askush nuk do të kuptojë që keni një dhëmb artificial. Përveç pamjes, implantet ofrojnë qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi të jashtëzakonshme. Me kujdesin e duhur, ato mund të zgjasin shumë vite, madje edhe gjithë jetën. Një përparësi tjetër shumë e rëndësishme është se implantet ndihmojnë në ruajtjen e strukturës së kockës në nofull. Kur një dhëmb mungon, kocka fillon të tkurret me kalimin e kohës, por implantet parandalojnë këtë proces duke ruajtur densitetin kockor. Ndryshe nga urat dentare, që kërkojnë zvogëlime apo ndërhyrje në dhëmbët fqinj, implantet nuk i prekin dhëmbët përreth dhe kështu nuk dëmtojnë asnjë strukturë tjetër . Ato gjithashtu rikthejnë plotësisht funksionin oral, duke ju lejuar të përtypni, flisni dhe buzëqeshni në mënyrë të natyrshme dhe të sigurt, ashtu si me dhëmbët tuaj origjinalë.

Kush mund të vendosë implante dentare?

Shumica e njerëzve që janë të shëndetshëm dhe kanë kockë të mjaftueshme në nofull janë kandidatë të mirë për implantet. Gjithsesi, një kontroll i plotë nga mjeku stomatolog dhe kirurgu oral është i domosdoshëm për të vlerësuar gjendjen tuaj.

A është vendosja e implantit një procedurë e dhimbshme?

Jo. Procedura kryhet nën anestezi lokale dhe është e krahasueshme me një heqje normale dhëmbi. Pas operacionit, mund të ketë pak shqetësim apo ënjtje për disa ditë, por kjo menaxhohet lehtësisht me medikamente.

Sa kohë zgjat procesi?

Në varësi të rastit, vendosja e implantit dhe vendosja e dhëmbit përfundimtar mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj. Kjo për shkak se implanti ka nevojë të integrohet mirë me kockën para se të vendoset kurora përfundimtare.

Implantet dentare përfaqësojnë standardin më të lartë të zëvendësimit të dhëmbëve . Ato janë të sigurta, funksionale dhe estetike — një investim i vlefshëm për buzëqeshjen dhe shëndetin tuaj afatgjatë.

Nëse po mendoni për implante dentare, rezervoni një konsultë për të parë nëse kjo është zgjidhja më e mirë për ju. Buzëqeshja juaj e re mund të jetë më afër se sa mendoni!

Dr.Xhini Rizaj